U mbajt punëtori për Inteligjencen Artificiale në kuadër të projektit Erasmus+ EDUFAIR

17 Qershor, 2025

Inteligjenca Artificiale po shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të transformimit të arsimit të lartë dhe Universiteti Publik “Kadri Zeka” është tashmë pjesë aktive e këtij zhvillimi, përmes pjesëmarrjes në projektin ndërkombëtar EDUFAIR, të financuar nga programi Erasmus+ CBHE i Bashkimit Evropian.

Në këtë kuadër, UKZ organizoi një workshop të dedikuar për përdorimin e AI-së në arsimin e lartë, ku u trajtuan tema kyçe për integrimin e teknologjive të avancuara në procesin e mësimdhënies, mësimnxënies dhe hulumtimit shkencor.

Workshopi shërbeu si platformë bashkëpunimi ndërmjet njësive akademike dhe universiteteve, që tashmë po integrojnë AI në kurrikulat e tyre, studentëve të cilët duhen përgatitur për sfidat e së ardhmes, sektorit privat dhe industrisë teknologjike, që mund të ofrojnë zgjidhje dhe bashkëpunim konkret, institucioneve publike që vendosin kuadër ligjor e politik për përdorimin e AI-së, si dhe shoqërisë civile e cila siguron që zhvillimet teknologjike respektojnë parimet etike dhe nevojat sociale.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi potencialin dhe kufizimet e AI-së në arsim, shembuj konkretë të përdorimit të AI në mësim dhe kërkime, identifikimin e sfidave dhe ideve për projekte të përbashkëta, ndërtimin e strategjive dhe partneriteteve për të ardhmen.

Ky workshop pasqyron përkushtimin e UKZ-së për të qenë lider në transformimin digjital të arsimit në rajon, duke e parë AI-në jo thjesht si një mjet teknologjik, por si një faktor strategjik në zhvillimin e arsimit të lartë dhe përgatitjen e brezave të rinj për tregun global të punës.

Projekti EDUFAIR  “Advancing quality higher education in the Western Balkans through facilitating AI integration in Teaching, Learning and Research” është një projekt ndërkombëtar i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, që synon të përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor përmes integrimit të AI-së në mësimdhënie dhe hulumtim.

Ky projekt udhëhiqet nga Kolegji Profesional i Tiranës dhe përfshin partnerë nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Italia, përfshirë University “Ismail Qemali” Vlorë, University “Fan Noli” Korçë, Universum International College, University of Library Studies and Information Technologies, SCiDEV – Center Science and Innovation for Development, CCIS Albania – Center for Comparative and International Studies dhe Universiteti Publik “Kadri Zeka” Gjilan.