Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt një sesion reflektues me fokus në integrimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në proceset e mësimdhënies, mësimnxënies dhe kërkimit shkencor në kuadër të projektit EDUFAIR, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+ për Ngritjen e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë.
Ky sesion u moderua nga Prof. Assoc. Dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, dhe nisi me fjalën përshëndetëse të Prof. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori Dërmaku theksoi rëndësinë e projekteve ndërkombëtare si EDUFAIR për përparimin e arsimit të lartë dhe përgatitjen e universiteteve për sfidat e transformimit digjital dhe integrimit të Inteligjencës Artificiale në proceset akademike.
Prezantimi i rezultateve të vizitave studimore në universitetet partnere evropiane ULSIT dhe UNISALENTO u bë përmes lidhjen online nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka” ne Gjilan, Prof. Dr. Dukagjin Leka, njëherësh koordinator i projektit EDUFAIR. Prorektori Leka ndau rezultatet konkrete nga vizitat në ULSIT dhe UNISALENTO dhe theksoi domosdoshmërinë e hartimit të një strategjie të qëndrueshme për integrimin e AI në universitet, duke përfshirë nevojën për qasje praktike dhe të përshtatura për secilin institucion.
Ndërkohë, në fjalën e saj Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, Dekane e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, dha një perspektivë teknike dhe akademike mbi rolin që mund të ketë fakulteti në zbatimin e AI në proceset mësimore dhe kërkimore, duke theksuar potencialin e fuqizimit të stafit dhe studentëve përmes teknologjisë.
Sesionin reflektues vazhdoi me reflektim mbi praktikat Evropiane, ku në lidhje online nga ekspertja e SCiDEV Erisa Proko, e udhëhoqi diskutimin përmes një sërë pyetjesh kyçe që synonin të nxisnin reflektim dhe bashkëndarje përvojash nga pjesëmarrësit, duke përfshirë atë se si mund të zbatohen njohuritë e marra në mësimdhënie dhe kërkim, sfidat për integrimin e AI në universitete, paraqiti gjendjen aktuale të zhvillimit institucional dhe zona ku kërkohet përmirësim, synimet afatshkurtra dhe afatgjata për integrimin e AI, mundësitë për bashkëpunim dhe ndarje të burimeve dhe ndau rekomandime se si mund të nxirren për ndërtimin e një udhërrëfyesi konkret për integrimin e AI.
Projekti EDUFAIR ka për qëllim të avancojë arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor përmes integrimit të AI-së në mënyrë etike dhe të qëndrueshme, duke ndërtuar kapacitete reale për përballimin e sfidave të epokës digjitale. Ai synon gjithashtu të forcojë lidhjen midis arsimit të lartë dhe tregut të punës, në mënyrë që studentët dhe stafi akademik të pajisen me njohuritë dhe aftësitë më të kërkuara.
Në përmbyllje, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka” ne Gjilan Prof. Dr. Dukagjin Leka përmblodhi diskutimet dhe theksoi hapat e ardhshëm, përfshirë hartimin e një raporti përmbledhës dhe udhërrëfyesi strategjik që do të shërbejë si bazë për integrimin efektiv të AI në universitetet partnere.
Ky sesion u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një qasje të përbashkët dhe praktike për transformimin digjital të arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon, duke vendosur Universitetin “Kadri Zeka” në një pozicion udhëheqës në këtë proces.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan