Në UKZ u mbajt mbledhja e Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë

25 Prill, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur mbledhja e radhës e Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës. Rektorët e universiteteve publike janë pritur në takim nga Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ndërsa mbledhja është udhëhequr nga Prof. Dr. Arben Hajrullahu, në cilësinë e kryesuesit të Konferencës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Dërmaku tha se pjesëmarrja e rektorëve në këtë takim dëshmon përkushtimin tonë të përbashkët për të avancuar arsimin e lartë publik dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona.

Ndërkaq, kryesuesi i Konferencës, Prof. Dr. Arben Hajrullahu, theksoi rëndësinë e përforcimit të rolit të Konferencës në hartimin e politikave strategjike. Pjesëmarrësit në këtë mbledhje thanë se  duhet të vazhdohet të jetë një mekanizëm i fuqishëm për koordinim institucional, hartim të qëndrimeve të përbashkëta dhe ngritje të cilësisë në arsimin e lartë publik në Kosovë.

Gjatë mbledhjes u diskutuan dhe miratuan një sërë çështjesh të rëndësishme si: Aprovimi i Rregullores së Punës së Konferencës së Rektorëve; u aprovua llogo zyrtare  e Konferencës së Rektorëve që do të përdoret në çdo dokumentet të Konferencës; janë përcaktuar aktivitetet e KR në gjashtë mujorin e parë të vitit 2025; është hartuar  memorandumi i përbashkët në mes të institucioneve publike të arsimit të lartë për bashkëpunim dhe shkëmbim të stafit akademik; është miratuar llogo e vulës dhe stemës  së Konferencës së Rektorëve.

Mbledhja u zhvillua në kuadër të  forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit të lartë publik në vend.