Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e 122-të, mbajtur më datë 22 prill 2024, ka marrë vendim që Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan të ri-akreditohet në nivel institucional për periudhën 5 vjeçare.
Rektori i Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili ka qenë bartësi kryesor i gjithë këtij procesi, duke uruar dhe falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në procesin e riakreditimit institucional, ka thënë se do të vazhdoj të përmbushë misionin e tij për ofrimin e një arsimi cilësor dhe inovativ, duke siguruar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e njohurive dhe aftësive të studentëve të UKZ-së.
Ky akreditim institucional, është edhe një dëshmi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, nën udhëheqjen e Menaxhmentit të ri, në krye me Rektorin, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku brenda një kohe shumë të shkurtë, jo vetëm që ka arritur të stabilizoj të gjitha proceset brenda Universitetit, por edhe të fitoj akreditimin institucional për një kohëzgjatje maksimale sipas ligjit aktual në Kosovë. Me këtë, janë krijuar të gjitha premisat që Universiteti të zhvillohet sipas dinamikës së paraparë që Rektori ka paraqitur me marrjen e detyrës së re, duke përfshirë programet e reja moderne e unike në Kosovë, si dhe duke krijuar një stabilitet dhe atmosferë pune si për stafin akademik po ashtu edhe një siguri për stafin administrativ.
Pas akreditimit institucional, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është në pritje edhe të vendimeve të tjera nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për riakreditimin e programeve aktuale, si dhe akreditimin e programeve të reja, me gjithsej 7 programe në proces të riakreditimit dhe 2 programe në akreditim, duke përfshirë edhe një Njësi të re Akademike – Fakultetin e Shkencave Sociale, me programin e studimit “Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane”, si program Bachelor.
Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti. Për ri-akreditimin e UKZ-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, nivelin e studentëve, të diplomuarit/alumnit, punëdhënësit si dhe hisedarët e jashtëm.
Rektori Dërmaku edhe njëherë falënderon të gjithë akterët, duke filluar nga stafi akademik, administrativ, studentët, alumnit, hisedarët e jashtëm dhe në veçanti menaxhmentin e UKZ-së për punën e palodhshme që po e bëjnë në ngritjen dhe avancimin e Universitetit, duke i siguruar të gjithë se edhe pse do të ketë shumë sfida, Universiteti do të zhvillohet, profilizohet dhe do të jetë bartësi kryesor i zhvillimeve jo vetëm në rajonin e Anamoravës por gjithë Kosovës dhe më gjerë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan