UKZ ka prezantuar ofertën akademike për maturantët e ShMTP “Mehmet Isai”

24 Maj, 2023

Duke e ditur se tani secili maturantë është përballë zgjedhjes për të vendosur rreth programeve të studimit, Zyra për Komunikim me Publikun e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, së bashku me Qendrën e Karrierës së Shkollës së Mesme Teknike Profesionale “Mehmet Isai” kanë organizuar takim informues për  nxënësit e klasave të XII-ta.

Përfaqësuesit e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Dekani i Fakultetit Juridik Prof. Asoc. Dr. Sadik Haxhiu, Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Prof.Asoc.Dr. Artan Dermaku, Prof. Ass. Dr. Detrina Alishani, Prof. Ass. Dr. Arbenita Kosumi, Pros.Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, Minire Haziri Rexhepi udhëheqëse e zyrës për Komunikim me Publikun dhe disa studentë, u pritën në takim nga menaxherja e Qendrës së Karrierës Prof. Mr. Sc. Luljeta Huruglica – Shkodra dhe koordinatorja për biznese Prof. Mr. Sc. Afrime Sheqerolli – Shaqiri, ku nga ana e përfaqësueseve të UKZ-së u prezantuan para nxënësve të klasave të XII-ta të Shkollës së Mesme Teknike Profesionale “Mehmet Isai”, përmbajtja e programeve që ofron ky universitet, si dhe i kanë informuar ata për përparësitë që ofrohen në rast se ata përzgjidhen si studentë të këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë.

Përfaqësuesit e UKZ-së informuan nxënësit mbi programet studimore, mënyrën e studimit, organizimet, aktivitetet, arritjet e studentëve si dhe profesionistëve,  për të cilët sot ka nevojë vendi ynë dhe më gjerë. Programet studimore të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, janë programe në hap me tregun e punës, sigurojnë punësim, bursa, vazhdim të studimeve jashtë vendit etj.

Maturantëve u janë shpërndarë edhe broshura përmes së cilave ata mund të njoftohen në përgjithësi për zhvillimet dhe aktivitetet në UKZ.

Universiteti “Kadri Zeka ” në Gjilan është krijuar për t’i shërbyer dijes, arsimit dhe mirëqenies së shoqërisë kosovare dhe më gjerë.