UKZ do të organizojë Konferencën Ndërkombëtare Shkencore UKZAC-2025

May 23, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka kënaqësinë të ju njoftojë për organizimin e Konferencës Ndërkombëtare Vjetore Shkencore UKZAC 2025, e cila do të mbahet më 2 dhe 3 qershor 2025.

Ceremonia hapëse do të zhvillohet të hënën, më 02 qershor 2025, në ambientet e Vali Ranch Resort & Congress Center, nga ora 10:00 deri në 12:30.

Nga ora 13:30 e tutje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, më 03 qershor 2025, punimet e konferencës do të vazhdojnë në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Tema qendrore e këtij edicioni është “Teknologjia, Shkenca dhe Arsimi: Rrugët drejt një Shoqërie Inteligjente”. Kjo konferencë do të mbledhë studiues, akademikë, edukatorë dhe politikëbërës nga rajoni dhe bota, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe rezultateve të kërkimeve shkencore në fusha të ndryshme, ku me punimet e tyre do të paraqiten 210 studiues.

Konferenca do të hapet nga Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku. Në sesionin plenar, do të marrin pjesë folës të ftuar ndërkombëtarë, të cilët do të ndajnë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë, shkencës dhe arsimit në ndërtimin e shoqërive inteligjente. Prof. Dr. Fiorenza Deriu – Universiteti “La Sapienza”, Romë, Prof. Dr. Rifat Škrijelj – Universiteti i Sarajevës, Prof. Dr. Eva Cipi – Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Bledar Prifti – Kolegji St. Petersburg, Matthew Coates – Përfaqësues i EU STEM Coalition.

Do të mbahet Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve “Marin Barleti”, një moment i veçantë që vlerëson kontributin e shquar akademik dhe shkencor në kuadër të konferencës.

Gjatë dy ditëve të konferencës do të zhvillohen sesione paralele në fusha të ndryshme studimore, me temat përkatëse:

 EduDay Conference

Tema: “Arsimi dhe Inteligjenca Artificiale”

 Justice Conference

Tema: “Roli i Shtetit të së Drejtës në Epokën Dixhitale dhe Ndikimi i Teknologjisë në Zhvillimin Ekonomik”

 Economics Conference

Tema: “Formësimi i Transformimit Ekonomik përmes Inovacionit dhe Teknologjive Digjitale”

 DiGiDay Conference

Tema: “Nga Sistemet Inteligjente drejt Shoqërive Inteligjente: Roli i Teknologjive të Reja”

MathDay Conference

Tema: “Matematika dhe STEM”

 SocialScience Conference

Tema: “Efektet e Transformimeve Politike, Ekonomike dhe Shoqërore në Dinamikën e Shoqërisë Ndërkombëtare”

Universiteti Publik “Kadri Zeka” fton të gjithë të interesuarit, studiues, akademikë, profesionistë, studentë  dhe të tjerë,  që të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Agjenda UKZ AC 2025

Planprogrami UKZ AC 2025