Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës kanë organizuar Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Arsimi dhe edukimi në shoqëritë me diversitet kulturor’’. Kjo konferencë u organizua nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit “Kadri Zeka” dhe Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës dhe u mbajt në ambientete e Universitetit të Tetovës. Konferencën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës Vullnet Ameti. Ai tha se Universiteti i Tetovës, si një qendër e edukimit, kërkimit shkencor dhe debatit të lirë, ka nderin që sot të hapë dyert dhe të jetë nikoqir i një ngjarje shkencore shumë të rëndësishme për tematikën që ajo do të trajtojë. Rektori Ahmeti tha se gjatë dekadave të fundit, shumë shtete kanë filluar reformat gjithëpërfshirëse në arsim për të përgatitur më mirë kuadrot për sfidat me të cilat ballafaqohen në profesionin e tyre. Në vlerësimin e përgjithshëm, arsimimi dhe edukimi në mjediset multikulturore është proces kompleks dhe paraqet sfidë sidomos për punonjësit e kësaj lëmie. Mirëpo, me një angazhim më të gjerë, me idenë se diversiteti kulturor na afron më shumë në funksion të përqafimit të vlerave kulturore të njëri-tjetrit, ne të gjithë së bashku do të ndihmojmë në forcimin e kapaciteteve të arsimit dhe edukimit në shoqërite ne dallime të theksuara kulturore. Fillimi i punimeve të kësaj Konference ndërkombëtare që organizohet për të katërtën herë me radhë, konfirmon angazhimin tonë të përbashkët që edhe në mjediset tona akademike, të debatojmë, të paraqesim pikëpamjet tona intelektuale edhe për këto tema që për pjesën dërmuese të shteteve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të zhvilluara perëndimore, janë kryefjala e përparimit dhe avancimit kulturor e arsimor, tha pos tjerash Rektori Vullnet Ameti.
Në emër të Rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, pjesëmarrësve në konferencë me fjalë përshëndetëse u drejtua Prorektorja për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Cështje Studentore Shpresë Qamili. Ajo tha se kjo konferencë tani më ka zgjuar interesim të jashtëzkonshëm tek akademikët, studiuesit dhe profesionistët e fushave të ndryshme dhe këtë vit në fokus ka arsimimin dhe edukimin. “Organizimi i një konference shkencore synon, mbi të gjitha, avancimin e dijes dhe aplikimin e saj në jetën reale, si dhe mundësinë zbatuese për të mirën e njerëzimit. Rezultati kryesor i një konference shkencore është se ajo ndihmon pjesëmarrësit të bëjnë kërkime shkencore me vlerë, për të gjetur dhe për të kuptuar ide të reja dhe për të shpërndarë hulumtimet e tyre për aplikimin e tyre në jetën reale dhe profesionale, për të nxitur debate, për të inkurajuar hulumtuesit e tjerë për gjetje akoma më të thelluara. Megjithatë, akoma më me rëndësi, organizimi i një konference ndërkombëtare-shkencore, ndikon në ngritjen e nivelit shkencor, ku dija dhe kërkimi shkencor janë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, shoqëror, arsimor dhe ekonomik” – tha Prorektorja Shpresë Qamili.
Dekani i Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilani Januz Dervodeli tha se konferencat e këtilla do të ndikojnë fuqishëm në motivmin e studentëve. “Është kënaqësi që jam në mesin tuaj. Saherë që vijë në Universitetin e Tetovës, më duket vetja se jam në qytetin më të bukur të Kosovës. Le të shërbejë kjo konferencë shkencore si një faktor i fuqishëm inspirimi për studentët tanë, të cilët duhet të vinë pas nesh porëse duhet të ecin pas nesh. Në këtë kuptim, prandaj mund ta citojmë të vërtetën e Katonit, se : Rrënja e shkencës është e hidhur, por fruit i saj është i ëmbël” – u shpreh Dekani Januz Dervodeli.
Ndërsa Dekani i Fakulteti Filozofik të Universitetit të Tetovës Fadbi Osmani vlerësoi se dy universitetet, në frymën e bashkëpunimit realizojnë një projekt shumë të rëndësishëm i cili flet mbi një çështje shumë të rëndësishme dhe shumë aktuale, e që ka të bëjë me edukimin dhe arsimimin në shoqëritë me diversitet kulturor. “Dy universitetet tona dhe pjesëmarsit do të debatojnë për segmentin i cili ka të bëjë me hulumtimin e këtyre fenomeneve shoqërore dhe shkencore, e që ka për qëllim pasurimin dhe begatimin, e aq më tepër avansimin e mësimdhënies. Në shkencën pedagogjike sot theksohet se arsimi i vërtetë është ai që nuk e hedh poshtë traditën, të kaluarën, as të tanishmen, por që është i orientuar më tepër nga e ardhmja dhe ardhmëria” – deklaroi Dekani Fadbi Osmani.
Kordinatori i Konferencës Ibish Kadriu vuri në dukje se objektivat e kësaj Konference Shkencore të dy universiteteve janë: ekspozimi i praktikave, përvojave dhe i modeleve të edukimit ndërkulturor në Maqedoni, Kosovë dhe në vendet e referuesve pjesëmarrës në këtë konferencë. “Kjo konferencë do marrë rëndësi të vlerës së shtuar edhe për faktin se, partneritetit shkencoro- universitar, i lidhjeve bashkëpunuese të vendosura më parë, me rastin e Konferencave shkencore të shkuara, u shtohen për bashkëpunim edhe aktorë të rinj të botës akademike- universitare, duke e forcuar kështu kapacitetin e një sinergjie akademike, intelektuale dhe shkencore në rrafsh rajonal, pra, në rrafsh Ballkanik si dhe, brenda rrafshit ndërshqiptar si kryeshtyllë dhe vektor aktiv i kësaj sinergjie shkencore- universitare” – nënvizoi Koordinatori Ibish Kadriu.
Kurse Prof.Dr. Adem Tamo nga Universiteti i Tiranës zhvilloi një ligjëratë profesionale mbi edukimin pedagogjik në shoqëritë tona.
Në këtë konferencë shkencore kanë marrë pjesë mbi 100 studiues shkencor nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria ku u prezantuan mbi 50 punime shkencore.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan