Një delegacion i organizatës GIZ qëndroi në UKZ

3 Gusht, 2017

Prorektori për bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin “Kadri Zeka”, Dukagjin Leka,  së bashku me Dekanin e Fakultetit të Edukimit Januz Dervodeli dhe Prodekanin Bashkim Dalipi, kanë pritur në një takim përfaqësues të organizatës qeveritare gjermane GIZ, Jehona Serlati, Edmond Gashi dhe Xhelal Dërguti .

Në takim është biseduar rreth  gjetjes së  mundësisë së bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Universitetit “Kadri Zeka”  dhe organizatës GIZ,  me fokus të veçantë në fushën e zhvillimit të karrierës.

Prorektori  Dukagjin Leka, shprehi interesimin dhe përkushtimin e madh që ka Universiteti “Kadri Zeka” për bashkëpunim ndërkombëtarë dhe zhvillimin e vazhdueshëm të këtij bashkëpunimi, ku përmes kësaj forme synohet të arrihet edhe ndërkombëtarizimi i Universitetit në arenën ndërkombëtare.

Nga ana e tij Dekani Januz Dërvodeli, theksoi rëndësinë që ka qendra e karrierës, ndërkohë që  mirëpriti  gatishmërinë për bashkëpunim  me GIZ –in. Kurse prodekani  Bashkim Dalipi potencoi mundësinë që përmes organizatës GIZ, të ndihmohet Fakulteti i Edukimit në ngritjen e kapaciteteve, sa i përket rritjes së bazës së mentorëve dhe rritjes së kapaciteteve të mbikëqyrjes së studentëve në Mësim Praktik.

Në emër të GIZ-it, Jehona  Serlati, tregoi për dëshirën dhe përkushtimin që ka organizata qeveritare GIZ, për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit me Universitetin “Kadri Zeka”. Ajo gjatë takimit po ashtu  tregoi për disa nga  komponentët e programit të tyre të bashkëpunimit, siç janë: politikat e punësimit, migrimi qarkor, bashkëpunimi me diasporën kosovare, ri-integrimi i kuadrove kosovare të cilat kanë përfunduar shkollimin në Gjermani, etj.

Gjithashtu delegacioni i GIZ-it  u interesua edhe për Qendrën e Karrierës brenda universitetit dhe për mundësitë e kontributit të tyre në zhvillimin e kapaciteteve të kësaj qendre.